Me panelin ndërkombëtar “Rruga drejt Forumit të Prespës për Dialog” u paralajmërua konferenca e madhe ndërkombëtare në Ohër

28 Maj 2021

Sot,  në klubin e deputetëve në Shkup, u mbajt paneli ndërkombëtar “Rruga drejt Forumit të Prespës për Dialog” si ngjarje hyrëse për konferencën ndërkombëtare  “Forumi i Prespës për Dialog” që do të mbahet më 1 dhe 2 korrik të këtij viti në Ohër dhe Oteshevë. Nikoqir në këtë panel ishte Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i cili me këtë rast e shpjegoi qëllimin dhe prezantoi konceptin dhe idenë themelore të Forumit të Prespës për Dialog.

“Në thelbin e Forumit të Prespës për Dialog  gjendet esenca e tri Marrëveshjeve me të cilat Maqedonia e Veriut njihet si një shembull unik në rajonin më të gjerë. Këto janë Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë si dhe Marrëveshja për partneritet strategjik me Greqinë, e njohur si Marrëveshja e Prespës. Në këto marrëveshje vërehen parime të forta politike dhe vlera që kanë kuptim universal: para së gjithash, hapat e guximshëm politikë në ndërtimin e kompromiseve afatgjata dhe të qëndrueshme; zbatimi i qenësishëm i inkluzivitetit në tejkalimin e dallimeve ndërmjet grupeve të ndryshme; respekti i ndërsjellë, durimi politik dhe diplomatik, dhe para së gjithash qasja pozitive në ndërtimin e miqësisë ndërmjet fqinjëve në kuptimin më të gjerë të fjalës.” theksoi Osmani.

Pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre dhe potencuan rëndësinë e nismës për themelimin e Forumit. Me diskutimet e tyre të frytshme, ata dhanë ide dhe propozime të reja që do të prezantohen në Dokumentin politik rajonal të përbashkët në Konferencën Forumi i Prespës për Dialog, me rekomandime për politikat sa i takon ndikimit politik, ekonomik dhe social të marrëveshjeve rajonale dhe bilaterale në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë ngjarje, krahas nikoqirit – Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmanit, morën pjesë edhe Florian Biber, profesor i historisë dhe politikës së Europës Juglindore në Universitetin e Gracit, Janis Armakollas nga ELIAMEP, Vesella Çerneva, Zëvendësdrejtore e ECFR dhe udhëheqëse e zyrës së Këshillit Europian për marrëdhënie të jashtme në Sofje, Edvard Xhozef, profesor në Universitetin Xhon Hopkins të Shteteve të Bashkuara, Gerald Knaus, Iniciativa Europiane për Stabilitet nga Berlini, Damir Marushiq, Këshilli Atlantik, Ivan Krastev, Qendra për Strategji Liberale nga Sofja, Velleshka Esh, Instituti Apen, Gjermani, Ervan Fuere, Qendra për Politika Europiane. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe shumë përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadave të huaja në vendin tonë dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.

Forumi i Prespës për Dialog është projekt shtetëror në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe nën patronazhin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Bëhet fjalë për një konferencë me karakter ndërkombëtar, me listë mbresëlënëse mysafirësh të ftuar, pjesa më e madhe e të cilëve tanimë e kanë konfirmuar praninë e tyre, me ç’rast pritet të vijnë kryeministra, ministra nga rajoni dhe nga vendet anëtare të BE-së, përfaqësues të lartë të BE-ës dhe SHBA-ve por edhe përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare.